Kjo është faqja zyrtare e Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Bashkia Tiranë. Kjo faqe është krijuar me qëllimin për të ndarë informacion mbi projektet më të fundit të zhvilluara nga Drejtoria jonë, në shërbim të qytetarëve, apo edhe projekte të implementuara brenda strukturave të Bashkisë, informacion për të cilin mund të ketë grupe apo individ që kanë interes.

Gjatë dy viteve të fundit Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë projektesh që kanë transformuar infrastrukturën digjitale brenda Bashkisë, ku një nga sukseset më të mëdha që mund të përmendim ka qënë Migrimi në platformën Nextcloud, platforma e shërbimeve cloud me kod burimi të hapur dhe shumë e sigurt, e fokusuar veçanërisht te privatësia e të dhënave të përdoruesit. Një sërë projektesh të tjera janë vënë në shërbim të qytetarëve, ku ndër to mund të veçojmë projektin e-kiosk i cili ju është vënë atyre në shërbim dhe tani është më e thjeshtë se kurrë tërheqja e dokumentave të ndryshme që ju nevojiten qytetarëve, duke shmangur rradhët e gjata të pritjes në zyrat përkatëse të Bashkisë. Një sërë projektesh të tjera janë në implementim e sipër, ku mund të veçojmë procesin e migrimit të Bashkisë nga Microsoft Office ne paketën LibreOffice, kalimin në klientin email Thunderbird, zgjedhje këto që janë vijimësi e përpjekjeve të stafit tonë për të përdorur platforma open souce në infrastrukturën digjitale të Bashkisë, platforma të cilat zhvillohen në mënyrë të hapur dhe transparente, dhe si rrjedhoj na japin siguri mbi ruajtjen e të dhënave dhe informacionit që transmetohet përmes tyre, dhe gjithashtu, këto zgjedhje na kanë ndihmuar në një reduktim të ndjeshëm të kostove që do të ishin shpenzuar për ngritjen e kësaj infrastrukture.

Nëpërmjet këtij blogu ne do t’ju mbajm vazhdimisht të përditësuar për projektet që po zhvillojmë, dhe gjithashtu mendimet tuaja janë të mirëpritura nëse keni diçka për të ndarë me ne.