Portali Open Data: më shumë kategori të dhënash, datasete të reja dhe përmirësime vizuale.

Open data është filozofia që mbështet shpërndarjen dhe publikimin e lirë të të dhënave pa kufizime ligjore, patenta apo mekanizma të tjerë kontrolli.

Të Dhënat e Hapura mund të përdoren, modifikohen dhe ndahen nga çdokush dhe për çdo qëllim.

Prej datës 19 Prill 2017, Bashkia e Tiranës me mbështetjen e UNDP-së, u bë Bashkia e parë në Shqipëri që publikonte të dhëna në një format të hapur përmes portalit Open Data.

Video ilustruese e portalit Open Data, Bashkia Tiranë

Në versionin fillestar të tij, portali kishte në përmbajtje të vet vetëm të dhëna në formë tabelare të cilat ishin organizuar në:

  • 9- Kategori kryesore
  • 33- Nënkategori
  • 119 – Burime të të dhënave në formatin csv në momentin e lancimit dhe rreth 479 csv (burime) mbas një viti nga lancimi

Të gjitha burimet ishin në format csv dhe çdo csv përfaqësonte një periudhë raportimi (mujore, tremujore, gjashtëmujore apo vjetore). Burimet mund të shfaqeshin në formë tabelare ose në grafikë. Nga të dhënat tona, një vit nga momenti i prezantimit të portalit open data, platforma kishte përafërsisht:

  • 35 361 shikime (page views);
  • 5 255 sesione të hapura (6,73 sesione/faqe);
  • 294 përdorues në muaj;
  • 85 përdorues në javë;
  • 20 përdorues në ditë;
  • 15,7% e vizitorëve janë vizitorë të rikthyer në platformë.

Kategoritë më të klikuara rezultonin Transporti, Infrastruktura dhe Ekonomia.
Gjatë vitit të fundit, pas shumë diskutimeve mbi mënyrat sesi mund të përmirësohej portali dhe të rritej baza e përdoruesëve të tij, u mendua një ridizenjim i faqes duke shtuar edhe më shumë elemente vizuale, ndërkohë që vijonte puna edhe për shtimin e kategorive të reja të të dhënave.

Forma aktuale e platformës Open Data nisi nga Janari i këtij viti. Si fillim u synua të ndërtohej vetëm sturktura dhe të mbushej me burimet ekzistuese.
Struktura aktuale e platformës u vendos duke u konsultuar me shumë site të ngjashme. DKAN, platforma me të cilën është ndërtuar portali, lejon tre nivele në organizmin e burimeve. Në momentin që vizitoni portalin, në faqen kryesore listohen kategoritë e të dhënave, dhe brenda çdo kategorie shfaqen Datasetet (grupime të dhënash të ngjashme). Ndërkohë çdo dataset përmban skedar ods për të dhënat në seri kohore dhe disa CSV për çdo vit.

Edhe në kategoritë të cilat ishin ekzistente, janë shtuar datasete të reja si psh. tek arsimi janë shtuar institucionet arsimore të gjeoreferencuara dhe si lista, tek transporti janë shtuar linjat e transportit publik në format harte, tek zhvillimi i territorit janë vënë në dispozicion kufijtë e njësive administrative në format geojson, tek biznesi dhe licensimi janë shtuar bizneset sipas aktivitetit ekonomik, madhësisë së biznesit, formës ligjore, gjinisë të administratorit dhe pronësisë, etj.

Aktualisht, platforma Open Data e Bashkisë Tiranë është e organizuar në:
(1) Katalogët e të dhënave të cilat janë:
a) 15 Kategori kryesore (fusha e të dhënës),
b) 15 Grupe (burimi i informacionit);
(2) 180 Datasete/tabela unike;
(3) 804 burime të dhënash në formatin csv, ods dhe geojson.

Kategoritë janë riorganizuar për të bërë më të identifikueshëm nga përdoruesit llojin e të dhënave sipas funksionit dhe tematikës. Në menu-në e platformës tashmë është i mundur kërkimi i të dhënave sipas Grupeve. Gjithashtu, është shtuar edhe zëri Kontakto, ku përdoruesit mund të dërgojnë pyetjet apo sugjerimet që ata kanë, si edhe të kërkojnë më tepër informacione.
Burimet e të dhënave përveç paraqitjes së të dhënave në formatin CSV vetëm për një periudhë të caktuar kohore, tashmë kanë dhe formatin ODS ku të dhënat paraqiten në formën e serive kohore për të gjitha periudhat për të cilat ka të dhëna. Përveç paraqitjes tabelare dhe grafike e të dhënave, i cili ishte i mundshëm edhe në versionin fillestar të platformës, në këtë version të dhënat mund të paraqiten edhe në formën gjeohapësinore.
Risi tjetër në këtë version janë vizualizimet e të dhënave në Grafikë, Harta, Dashboarde dhe Datastory për ti bërë më të qarta dhe perceptueshme nga gjithë publiku.

Një përmbledhje e ndryshimeve të realizuara

  1. Është ristrukturuar paraqitja e të dhënave në katalogë, dataset-e dhe burime për ta bërë më të lehtë kërkimin e përmbajtjes në portal;
  2. Janë shtuar dy kategori Demografia dhe Census të cilat përmbajnë informacion për treguesit demografikë si mosha, gjinia, raportet gjinore, koeficientet e varësisë, shtesa natyrore etj. Si edhe të dhëna për familjet, kushtet e banimit dhe të dhëna për arsimin dhe punësimin;
  3. Janë shtuar formate të reja të dhënash, përveç csv, tashmë edhe skedar geojson dhe ods;
  4. Është ndryshuar shfaqja e burimeve duke shtuar edhe hartat në paraqitje krahas tabelave dhe grafeve;
  5. Për çdo dataset janë shtuar disa informacioni për të kuptuar përmbajtjen e dataset-it para se të navigosh në burime, si: a) Institucioni që ka siguruar të dhënën; b) Një hartë që tregon nivelin e detajimit të të dhënës; c) Mundësia për të ndarë datasetin në një sërë rrjetsh sociale. d) Pasurimi me informacion i metadatës me ofruesin, periodicitetin dhe gjuhën e publikimit; e) Është shtuar një file ods që të përmbajë të dhënat e csv në format serie kohore. U përzgjodh ods si formati standard i LibreOffice, që është standard i hapur dhe në përputhje me filozofinë e Open data.
  6. Pjesë e dataset-eve janë edhe listat e instituicioneve dhe vendodhja e tyre e gjeoreferencueshme të cilat nuk kanë qënë më parë;
  7. Menu-të “Rreth Nesh” dhe “Rreth Projektit” janë bashkuar në një menu duke u detajuar me tej.
  8. Pjesë e menu-së tashmë janë dhe Grupet të cilat nuk ekzistonin si koncepte më parë. Çdo grup identifikon dataset-et që publikohen po nga ky grup, pavarësisht kategorisë së datasetit;
  9. Kontako është pjesë e menu-së tashmë duke i dhënë mundësinë çdo përdoruesi të na kontaktojë për paqartësi, pyetje apo sugjerime;
  10. Vizualizimi është element tjetër i shtuar në platformë ku nëpërmjet: a) Dashboard-eve bën një paraqitje vizuale të burimeve dhe dataset-eve në formën e grafikëve, tabelave, hartave dhe tekstit. b) Datastory (historia e të dhënave) ka si vlerë të shtuar edhe dashboard-et.

Ndërkohë vijon puna për pasurimin e vazhdueshëm të portalit me të dhëna të shtuara të cilat janë plotësisht në dispozicionin e publikut. Ju ftojmë që ti përdorni si edhe të na kontaktoni për çdo sugjerim.

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.