Bashkia Tiranë në konferencën e parë të Koalicionit të Qyteteve për të Drejtat Digjitale

Nëpërmjet një blogposti të mëparshëm, Drejtoria Përgjithshme e Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikave ka ndarë lajmin se qyteti i Tiranës i është bashkuar iniciativës së një sërë qytetesh të tjera të cilat synojnë të bashkojnë forcat për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tyre në botën online, por edhe për të rritur dijen dhe aftësitë digjitale. Publikimin e plotë e gjeni këtu.

Për të konkretizuar këtë iniciativë, qytetet kanë nënshkruar Deklaratën e Qyteteve për të Drejtat Digjitale e cila përmbledh pesë parime bazë nga të cilat do të udhëhiqet koalicioni (të listuara më poshtë).

Harta e qyteteve që i janë bashkuar koalicionit (Qershor 2019).

Në datat 19 – 21 Qershor u zhvillua në qytetin e Amsterdamit takimi i parë me përfaqësues nga qytetet respektive të cilët i janë bashkuar koalicionit. Qëllimet kryesore të eventit ishin takimi nga afër i përfaqësuesëve të qyteteve, prezantimi i iniciativave të deri më tanishme të secilit, si edhe vijimi i punës mbi strategjitë dhe hapat që do të ndiqen në vijim.

Eventi u hap nga Nënkryetarja e Bashkisë së Amsterdamit, Touria Meliani, me një fjalim që pasqyroji qëllimet dhe objektivat madhore të koalicionit por edhe rëndësinë për përkushtimin e drejtuesve të qyteteve për të mbrojtur të drejtat digjitale të qytetarëve. Fjalimin e plotë mund ta lexoni këtu (Anglisht).

Gjatë ditëve në vijim u zhvilluan një sërë takimesh, diskutimesh dhe sesionesh të cilat rezultuan në konsolidimin e një sërë strategjish që do të ndiqen në vijim, për zgjerimin e koalicionit dhe për të vendosur format e qeverisjes së tij.

Aktivitetet e ardhshme të planifikuara të koalicionit janë:

  • Fushata 100 qytete në 100 ditë.
  • Zhvillimi i seminareve dhe workshopeve të cilat do të synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të qyteteve partnere për të punuar mbi sigurimin e të drejtave digjitale.
  • Zhvillimi i aktiviteteve nga çdo qytet pjesë e koalicionit gjatë ditës ndërkombëtare të internetit.
  • Publikimi i një përmbledhjeje me raste studimore mbi përpjekjet e qeverive lokale për për të promovuar dhe siguruar të drejtat digjitale.
  • Demonstrimi i projekteve të cilat sigurojnë parimet e koalicionit nga qytetet që kanë nënshkruar Deklaratëm e Qyteteve për të Drejtat Digjitale.

Koalicioni do të synojë që qytetet të mësojnë nga njëri-tjetri, nga sfidat dhe sukseset e secilit, të ndajnë praktikat më të mira për mbrojtjen e të drejtave digjitale, dhe të koordinojë iniciativa dhe aksione të përbashkëta. Ky përkushtim i qyteteve është përmbledhur përmes pesë parimeve të cilave ato do ti përmbahen:

1. Akses universal dhe i barabartë në Internet, si edhe aftësim digjital

Çdokush duhet të ketë akses të përballueshëm dhe të barabartë në shërbimet digjitale dhe në Internet, si edhe të ketë aftësitë e duhura digjitale për ta shfrytëzuar këtë akses dhe për të kapërcyer ndarjen digjitale.

2. Privatësia, mbrojtja e të dhënave dhe siguria

Çdokush duhet të ketë privatësi edhe kontroll mbi informacionin e tyre personal përmes mbrojtjes së të dhënave, si në vendet fizike edhe në ato virtuale, për të siguruar konfidencialitetin, sigurinë, dinjitetin dhe anonimitetin, si edhe sovranitetin mbi të dhënat e tyre, duke përfshirë të drejtën për të ditur se çfarë ndodh me të dhënat e tyre, kush i përdor ato dhe për çfarë qëllimi.

3. Trasparenca, besueshmëria dhe mos-diskriminimi i të dhënave, përmbajtjes dhe algoritmave

Çdokush duhet të ketë akses në një informacion të kuptueshëm dhe të saktë mbi sistemet teknologjike, algoritmike apo të inteligjencës artificiale të cilat impaktojnë jetën e tyre, si edhe duhet të ketë aftësinë për të ngritur pyetje dhe për të ndryshuar sisteme të padrejtë, të njëanshëm, apo diskriminues.

4. Demokracia me pjesëmarrje, diversiteti dhe përfshirja

Çdokush duhet të përfaqësohet në Internet, dhe në formë kolektive të angazhohet me qytetin përmes mundësive të hapura, përfshirëse dhe trasparente për të formësuar teknologjitë e dizenjuara për ta, duke përfshrë edhe menaxhimin e infrastrukturave tona digjitale dhe të të dhënave si një e mirë e përbashkët.

5. Standarde të hapura dhe etike të shërbimeve digjitale

Çdokush duhet të jetë në gjëndje të përdor teknologjitë e zgjedhura nga ata vet dhe të presë të njëjtat nivele interoperabiliteti, përfshirjeje dhe mundësish për shërbimet e tyre digjitale. Qytetet duhet të përcaktojnë infrastrukturat e tyre teknologjike, shërbimet dhe axhendën, përmes standarteve të hapura dhe etike të shërbimeve digjitale për tu siguruar se ato i përmbahen këtij parimi.

Qyteti i Tiranës, falë nismave dhe iniciativave të ndryshme që ka ndërmarrë me implementimin e teknologjive open source, të cilat mbështesin interoperabilitetin dhe standardet e hapura digjitale, do të angazhohet në grupet e punës të cilat do të synojnë të çojnë përpara implementimin sa më të gjerë të Parimit të Pestë të koalicionit.

Në vijim do të ketë takime të tjera të ngjashme të cilat do të konistojnë në vijimin e punës për implementimin e iniciativave të koalicionit.

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.